Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, përfshirë ish-sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe tre zyrtarë të tjerë, B.R., B.H., R.Q. dhe N.L., nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se gjatë periudhës nga 2 gushti 2017 deri më 26 nëntor 2020 kanë tejkaluar kompetencat ligjore gjatë zbatimit të kontratës për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019.
Çështja kryesore lidhet me vlerën e kontratës. Aktiviteti i prokurimit ishte paraparë të kushtonte rreth 500 mijë euro, ndërsa pagesat e realizuara në fund kanë arritur në 5,377,058.07 euro.
“Të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, të Rregullores dhe Udhëzimit Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimet e Parasë Publike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria pretendon gjithashtu se janë “nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të parapara në dosjen e tenderit”.
Sipas aktakuzës, punimet shtesë dyshohet se janë realizuar “pa aneks-kontratë, pa procedurë të re prokurimi dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni i pranimit të punëve”.
Përveç dënimit për veprën penale, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës edhe shqiptimin e dënimit plotësues, përkatësisht ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.
Megjithatë, këto janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura në aktakuzë dhe fajësia e të pandehurve duhet të vërtetohet përmes procedurës gjyqësore.