Interesimi për seancën e 16 shtatorit në Hagë, ku pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ka arritur përmasa të mëdha.
Numri i kërkesave për të qenë fizikisht të pranishëm në sallë ka qenë shumë i lartë, ndërsa vendet në galerinë e publikut janë të kufizuara. Për këtë arsye, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë bërë të ditur se procesi i shqyrtimit të kërkesave po kërkon më shumë kohë.
“Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve në galerinë për publikun dhe numrit shumë të madh të kërkesave për pjesëmarrje në këtë seancë, procesi i shqyrtimit kërkon kohë. Sikurse është bërë me dije në lajmërimin e parë, konfirmimi me postë elektronike do të dërgohet jo më vonë se dy javë përpara seancës. Në atë kohë, të gjithë ata që kanë dërguar kërkesë brenda afatit do të marrin përgjigje, në të cilën konfirmohet nëse pjesëmarrja e tyre është e mundur apo jo, bashkë me çdo informacion tjetër relevant”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara.
Më 16 shtator, në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, pritet të shpallet vendimi në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Interesimi i madh për këtë seancë tregon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka marrë shpallja e aktgjykimit.