Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë thirrje për një marrëveshje mes partive politike për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Kurti ka deklaruar se presidenti i ri duhet të jetë një figurë unifikuese dhe konsensuale, e pranueshme për një numër të gjerë deputetësh dhe për shoqërinë kosovare.
Sipas tij, kandidati duhet të jetë një personalitet me kontribut të dëshmuar, vlera qytetare e kombëtare dhe reputacion në profesion e në shoqëri, ndërsa idealisht të mos jetë pjesë e përplasjeve të përditshme politike.
“Presidenti i Republikës duhet të jetë shprehje e unitetit të popullit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se LVV-ja është e gatshme të heqë dorë nga posti i presidentit nëse arrihet një marrëveshje politike që do t’i mundësonte vendit shmangien e zgjedhjeve të reja.
Kurti ka përmendur edhe ofertën e bërë ndaj LDK-së, duke thënë se kësaj partie i është ofruar pozita e kryetarit të Kuvendit, ndërsa në kuadër të një marrëveshjeje për bashkëqeverisje janë diskutuar edhe posti i zëvendëskryeministrit dhe disa ministri.
Ndërkohë, ai ka treguar se u ka dërguar mesazh kryetarëve të LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, Lumir Abdixhikut, Bedri Hamzës dhe Ardian Gjinit, me kërkesën që të takohen sa më shpejt dhe të diskutojnë për emrin e presidentit të ardhshëm.
Kurti ka theksuar se tashmë koha nuk është vetëm për të diskutuar kriteret që duhet t’i plotësojë presidenti, por edhe për të propozuar emra konkretë.
“Na duhet të kalojmë te emrat e përveçëm. Na duhet të kalojmë te emrat konkretë”, u shpreh ai.
Sipas Kurtit, Kosova ka shumë personalitete që mund ta mbajnë këtë post, përfshirë figura që kanë dhënë kontribut në rezistencën paqësore, luftën çlirimtare dhe procesin e shtetndërtimit.
Megjithatë, ai nuk ka përmendur emra konkretë, duke argumentuar se një kandidat i propozuar drejtpërdrejt nga ai do të etiketohej menjëherë politikisht.
Kurti ka folur edhe për ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiun, duke thënë se ajo është e interesuar që vendi të ketë sa më shpejt një president që mund të bashkojë palët.
Në fund, Kurti ka paralajmëruar se nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja, duke kërkuar që liderët politikë të ulen në një tryezë dhe të gjejnë një kandidat të pranueshëm për të gjithë.