August 14, 2026
2 mins read

Sanksionet britanike godasin “Rrjetin Krasniqi”, shtatë anëtarë arrestohen ose dorëzohen

Presioni i autoriteteve britanike dhe kosovare ka sjellë goditje të fortë ndaj një rrjeti të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe kontrabandim të migrantëve nëpër Evropë.

Shtatë nga nëntë anëtarët e identifikuar të të ashtuquajturit “Rrjeti Krasniqi” janë arrestuar ose janë dorëzuar te autoritetet kosovare. I fundit prej tyre u dorëzua në maj të këtij viti.

Sipas autoriteteve britanike, grupi vepronte nga Ballkani Perëndimor dhe dyshohet se kishte ndërtuar një rrjet të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve të identitetit, pasaportave dhe patentë-shoferëve.

Dokumentet e falsifikuara dyshohet se u mundësonin migrantëve të parregullt dhe trafikantëve të njerëzve të paraqiteshin rrejshëm si shtetas të më shumë se 50 vendeve, përfshirë Britaninë e Madhe.

Pas aksioneve të para të autoriteteve kosovare në tetor të vitit të kaluar, Britania vendosi sanksione të synuara ndaj rrjetit. Këto masa përfshinë ngrirjen e pasurive dhe kufizime udhëtimi, ndërsa identitetet e personave të sanksionuar u bënë publike.

Autoritetet kosovare vlerësojnë se pikërisht këto sanksione mund të kenë ndikuar në vendimin e disa prej të dyshuarve për t’u dorëzuar.

“Të gjithë të dyshuarit ishin vendosur në urdhërarreste kombëtare dhe ndërkombëtare, por disa prej anëtarëve që u dorëzuan e bënë këtë vetëm pasi Britania e Madhe i kishte sanksionuar”, ka bërë të ditur pala britanike.

Ministri britanik për Evropën, Stewart Wood, deklaroi:

“Banda Krasniqi mendonte se mund të fshihej në hije dhe të përfitonte pa u ndëshkuar nga dëshpërimi i njerëzve të cenueshëm – tani ata do të përballen me drejtësinë për veprimet e tyre”.

Ndërsa Shefi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, e ka cilësuar rastin si dëshmi të rëndësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.

“Ky rezultat thekson rëndësinë e bashkëpunimit të fuqishëm ndërkombëtar dhe përpjekjeve të përbashkëta ndërmjet Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe autoriteteve britanike në luftimin me sukses të krimit të organizuar të lidhur me migracionin dhe në forcimin e sundimit të ligjit”.

Sipas të dhënave të Frontex-it, kalimet e parregullta të kufirit në Ballkanin Perëndimor kanë shënuar rënie prej 87 për qind në vitin 2025, krahasuar me vitin 2023.

Britania dhe partnerët evropianë po vazhdojnë bashkëpunimin me autoritetet e rajonit për goditjen e rrjeteve kriminale që merren me kontrabandimin e njerëzve dhe migracionin e parregullt.

Latest from Blog

Go toTop