Shtatë persona, të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal të njohur si “Rrjeti Krasniqi”, janë arrestuar ose janë dorëzuar te autoritetet kosovare, pas një aksioni të përbashkët të autoriteteve të Kosovës dhe Britanisë së Madhe.
Sipas autoriteteve britanike, grupi dyshohet se kishte ngritur një skemë të sofistikuar për falsifikimin e dokumenteve, përfshirë pasaporta, dokumente identiteti dhe patenta shoferi. Këto dokumente dyshohet se përdoreshin nga migrantë të parregullt dhe trafikantë të qenieve njerëzore për të paraqitur rrejshëm shtetësinë e më shumë se 50 vendeve.
Personat që aktualisht ndodhen nën masën e arrestit janë:

Flamur Krasniqi

Valon Krasniqi

Arif Krasniqi

Nexhmije Selmani

Shkëmbim Ermellahu

Sami Duriqi

Granit Avdyli
Sipas dyshimeve të autoriteteve, secili prej tyre kishte role të ndryshme brenda rrjetit.
Flamur Krasniqi dyshohet se është gjetur në posedim të dokumenteve të falsifikuara, ndërsa Valon Krasniqi dyshohet se ka qenë i përfshirë në prodhimin e tyre.
Arif Krasniqi pretendohet se ka vepruar si ndërmjetës, duke siguruar klientë për shërbimet e grupit.
Ndërkohë, Nexhmije Selmani dyshohet se ka ofruar ambiente të përdorura për falsifikim dhe ka ndihmuar në sigurimin e pajisjeve të nevojshme.
Shkëmbim Ermellahu dyshohet se është gjetur me dokumente të falsifikuara, ndërsa Sami Duriqi dyshohet për përfshirje në prodhimin e tyre.
Granit Avdyli, sipas dyshimeve, ka pasur rol në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimin e shërbimeve të rrjetit.
Pas veprimeve të para të autoriteteve kosovare në tetor të vitit të kaluar, Britania e Madhe vendosi sanksione ndaj rrjetit. Më pas, shtatë nga nëntë anëtarët e identifikuar të grupit janë arrestuar ose janë dorëzuar te autoritetet kosovare.
Megjithatë, bëhet fjalë për persona të dyshuar dhe përgjegjësia e tyre penale duhet të vërtetohet përmes procedurave gjyqësore.