Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kërkuar që Lëvizja Vetëvendosje të thërrasë sa më shpejt seancën konstituive të Kuvendit, duke theksuar se vendi ka nevojë për institucione funksionale.
Zemaj ka kritikuar zvarritjen e procesit, duke thënë se asnjë subjekt apo individ nuk duhet të vendoset mbi institucionet e Kosovës.
“Lëvizja Vetëvendosje duhet ta thërrasë seancën! Konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë. Askush nuk guxon t’i mbajë peng institucionet e vendit dhe ta thellojë krizën politike”, ka shkruar ai.
Sipas Zemajt, përplasjet politike nuk i shërbejnë interesit të Kosovës, ndërsa ka kërkuar respektimin e rregullave, ligjeve dhe Kushtetutës.
“Pushtetet shkojnë e vijnë, por Kosova është mbi të gjitha. Mjaft me këto lojëra politike. Pushteti fitohet dhe mbahet në mënyrë demokratike, përmes rregullave, ligjeve dhe Kushtetutës. Askush nuk është mbi institucionet dhe askush nuk ka të drejtë ta mbajë peng shtetin”, ka deklaruar Zemaj.
Ndërkohë, një ditë më herët, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se partia e tij është e gatshme të mbështesë një kandidat konsensual për president, duke hequr dorë nga kërkesa e mëparshme që posti t’i takonte LDK-së në kuadër të një marrëveshjeje me LVV-në.
“Le t’i ketë të gjitha LVV-ja”, kishte deklaruar Abdixhiku pas mbledhjes së deputetëve të LDK-së.