Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, u ka bërë thirrje partive politike që të ulen në një tryezë dhe të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e bllokadës institucionale.
Përmes një reagimi, Dehari ka thënë se zhvillimet e tri ditëve më parë në Kuvend dëshmuan, sipas tij, se vazhdimi i seancës pa marrëveshje politike mund të rrisë tensionet dhe rrezikun e përplasjeve fizike.
“Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale dhe garanton funksionimin e qëndrueshëm të institucioneve”, ka shkruar Dehari.
Ai kërkoi një marrëveshje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe një dakordimi për president konsensual.
Sipas Deharit, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
“Populli ka folur. Tani është radha jonë, si përfaqësues politikë, të gjejmë marrëveshjen dhe t’i japim vendit institucione funksionale dhe të qëndrueshme”, përfundoi Dehari.
/Demantim News/