August 15, 2026
1 min read

Dogana dhe Policia godasin kontrabandën në Zubin Potok, një i ndaluar – tjetri në arrati

Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një aksion të përbashkët në zonën e Zubin Potokut, ku kanë ndaluar dy automjete të dyshuara për kontrabandim të mallrave nga Serbia përmes rrugëve ilegale.

Sipas njoftimit, më 15 gusht, rreth orës 08:00, autoritetet kanë pranuar informacion për dy automjete të dyshuara që pritej të hynin ilegalisht në territorin e Kosovës.

Rreth orës 09:00, automjetet janë identifikuar duke lëvizur në drejtim të Mitrovicës, ndërsa më pas kanë devijuar nga rruga kryesore drejt fshatit Varagë.

Me të vërejtur zyrtarët, drejtuesit kanë ndalur automjetet në oborrin e një shtëpie dhe kanë tentuar të largohen në këmbë drejt arave. Pas ndjekjes, njëri prej tyre është ndaluar, ndërsa personi tjetër ka arritur të largohet dhe mbetet ende i paidentifikuar.

Gjatë kontrollit të dy automjeteve janë gjetur mallra të kontrabanduara, kryesisht produkte ushqimore, produkte higjienike dhe birra të llojeve të ndryshme.

Automjetet dhe mallrat janë ndaluar dhe janë dorëzuar në depon përkatëse të Doganës së Kosovës.

Rasti po trajtohet nga Dogana dhe Policia, në koordinim me njësitë hetimore, për ndërmarrjen e procedurave të mëtejshme ligjore.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop