Vezir Haziraj, i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të një personi në fshatin Orroberdë të Istogut, është dorëzuar sot pas tetë ditësh në arrati.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti kishte ndodhur më 7 gusht, rreth orës 20:50. Viktima ishte gjetur i plagosur me armë zjarri dhe pas trajtimit në Spitalin Rajonal të Pejës ishte dërguar në QKUK për trajtim të mëtejmë.
I dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa hetuesit rajonalë kishin nisur kërkimet intensive për kapjen e tij.
Policia njofton se sot, më 15 gusht, është zbatuar një plan operativ në bashkëpunim me njësi të nivelit qendror, përfshirë NJSI/FIT, njësinë e vëzhgimit dhe njësi të tjera.
Sipas Policisë, rol kyç në operacion ka pasur edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
“I dyshuari Vezir Haziraj, duke e parë se nuk kishte mundësi largimi, është dorëzuar dhe gjithçka ka shkuar pa ndonjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë.
/Demantim News/