August 15, 2026
1 min read

Shala: Policia e Kosovës pritet të marrë rol të zgjeruar në kufirin verior me Serbinë

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka deklaruar se Policia e Kosovës pritet të marrë kompetenca të zgjeruara për sigurinë e brezit kufitar me Serbinë në pjesën veriore të vendit.

Sipas tij, ky zhvillim vjen pas marrjes së përgjegjësive nga Policia për sigurinë e Urës së Ibrit dhe Manastirit të Deçanit, si dhe pas vlerësimeve të KFOR-it për përmirësimin e situatës së sigurisë.

Shala tha se, sipas pritjeve të tij, ndryshimi mund të nisë të zbatohet gjatë javës së ardhshme, me Policinë e Kosovës që do të kalojë në vijën e parë të reagimit në brezin kufitar verior.

“Policia e Kosovës do të jetë vija e parë e ruajtjes së integritetit territorial dhe aktiviteteve kriminale”, ka deklaruar Shala.

Ai ka thënë se deri më tani KFOR-i ka pasur rol parësor në patrullimin e këtij brezi kufitar, ndërsa Policia ka vepruar si reaguese e dytë.

Shala ka folur edhe për reagimet nga Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar, duke thënë se ndryshimet e fundit në përgjegjësitë e sigurisë kanë nxitur kundërshtime nga pala serbe.

Eksperti ka bërë thirrje për kujdes të shtuar edhe në objektet fetare, duke paralajmëruar se incidente të izoluara mund të shfrytëzohen politikisht për të vënë në pikëpyetje aftësinë e institucioneve të Kosovës për garantimin e sigurisë.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për krizën institucionale, duke vlerësuar se moskonstituimi i Kuvendit dhe mosformimi i Qeverisë mund të ndikojnë në politikat dhe vendimmarrjen në fushën e sigurisë.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop