Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bujar Haradinaj, ka shprehur bindjen e tij se drejtësia do të triumfojë në procesin gjyqësor në Hagë, ku ndaj katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së pritet të merret vendimi më 16 shtator.
Haradinaj ka thënë se pret që të akuzuarit të shpallen të pafajshëm dhe të lirohen, duke theksuar se beson se procesi do të përfundojë në favor të tyre.
Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u krijua si rezultat i një dëshire të momentit, por si pasojë e rrethanave dhe nevojës për t’u përballur me dëbimet dhe përndjekjet e shqiptarëve nga Serbia.
“Unë mendoj që drejtësia do të triumfojë atje. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës ka hequr shumë, domethënë, një periudhë të caktuar. Edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk lindi prej dëshirës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi prej nevojës që ta ndalë dëbimin, ta ndalë përsekutimin, t’i ndalë të gjitha ato deri në spastrim etnik që bëri Serbia në atë periudhë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se pret që personat që aktualisht po gjykohen në Hagë të lirohen së shpejti, pasi, sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e materialeve të përdorura në proces kanë origjinë nga institucionet serbe të sigurisë.
“Edhe unë e mendoj që ata njerëz atje që sot gjykohen padrejtësisht, presim shumë shpejt lirimin e tyre, për shkak se ne e dimë se pjesa më e madhe e dosjeve që kanë shkuar atje, domethënë, janë nga shërbimi sekret serb, nga Ministria e Punëve të Brendshme edhe nga shërbëtorët e tyre”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka përsëritur bindjen se procesi në Hagë do të përfundojë me një rezultat pozitiv për të akuzuarit dhe se drejtësia, sipas tij, do të vihet në vend.