Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka paralajmëruar për rritje të rasteve të fruthit në vend, me dhjetëra raste të reja të evidentuara gjatë ditëve të fundit.
Sipas të dhënave më të fundit, nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026 në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 137 raste me fruth. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar edhe 25 raste të reja, duke treguar një rritje të rasteve të infeksionit.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë, ku janë konfirmuar 47 raste, ndërsa pas saj renditet Fushë Kosova me 34 raste.
Në Ferizaj janë evidentuar 12 raste, në Obiliq 8, ndërsa Kaçaniku dhe Lipjani kanë nga 7 raste të konfirmuara.
Raste të fruthit janë evidentuar edhe në Skenderaj, Vushtrri dhe Drenas, me nga 3 raste secila komunë. Ndërkohë, Gjilani, Shtimja, Shtërpca dhe Deçani kanë raportuar nga 2 raste.
Nga një rast është regjistruar në Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.
Për shkak të situatës epidemiologjike, ekipet e vaksinimit në komunat ku është evidentuar numër më i madh i rasteve kanë shtuar aktivitetet në terren.
Gjatë javës së fundit, ekipet e vaksinimit në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj kanë vaksinuar gjithsej 276 fëmijë të cilët kishin mbetur prapa me vaksinimin sipas kalendarit të rregullt.
Fëmijët janë vaksinuar me vaksinën MMR, e cila përdoret për mbrojtjen ndaj fruthit, shytave dhe rubeolës.
IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rast të shfaqjes së simptomave që mund të lidhen me fruthin.
Ndër simptomat kryesore përfshihen temperatura e lartë, skuqjet ose ndryshimet në lëkurë, kolla, rrufa dhe konjuktiviti.
Instituti rekomandon që çdo person që shfaq simptoma të dyshimta të paraqitet sa më shpejt në institucionin më të afërt shëndetësor, në mënyrë që të vlerësohet gjendja dhe të ndërmerren masat e nevojshme.