August 17, 2026
1 min read

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm seksual ndaj 14-vjeçares në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet Sh.R., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “sulm seksual”.

Sipas vendimit të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se më 16 gusht 2026, në rrugën Ferizaj–Gjilan, i dyshuari ka kryer veprime me karakter seksual ndaj një të miture rreth 14-vjeçare, e cila në atë moment ndodhej në automjetin e tij.

Sipas njoftimit, e mitura, pasi ka kuptuar situatën, ka kërkuar që automjeti të ndalej në një pjesë të rrugës. Ajo ka arritur të largohet nga vetura dhe menjëherë ka njoftuar Policinë për rastin.

Pas raportimit të ngjarjes, i dyshuari është arrestuar nga autoritetet.

Gjykata ka bërë të ditur se e mitura, si pasojë e ngjarjes, ka përjetuar frikë, ankth dhe pasiguri, ndërsa për gjendjen e saj ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore.

Pas zhvillimit të seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, Fitore Daci Krivanjeva, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet e përcaktuara me ligj për caktimin e masës së paraburgimit.

Për këtë arsye, të dyshuarit Sh.R. i është caktuar një muaj paraburgim.

Gjykata ka sqaruar gjithashtu se paraqitja e ankesës ndaj këtij aktvendimi nuk e pezullon zbatimin e masës së paraburgimit.

Latest from Blog

Go toTop