Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se ka nisur asfaltimi i një pjese të magjistrales në Ferizaj, duke bërë të ditur edhe afatin kur njëri prej segmenteve pritet të jetë i hapur për qarkullim.
Basha ka treguar se ka përcjellë nga afër punimet që po zhvillohen në segmentin nga Ura e Vogël, pranë Mobilerisë “Migros”, deri te restoranti “Ballkani”.
Sipas tij, pjesa nga rruga “Driton Islami” deri te restoranti “Ballkani” pritet të përfundojë me të dyja shtresat e asfaltit dhe të vihet në shfrytëzim për qarkullim më 5 shtator 2026.
“Nga sot ka filluar asfaltimi i një pjese të magjistrales në Ferizaj. Sot isha personalisht për të përcjellë nga afër asfaltimin duke filluar nga Ura e Vogël (te Mobileria Migros) deri te restoranti ‘Ballkani’”, ka bërë të ditur Basha.
Ai ka theksuar se pas përfundimit të këtij segmenti, punimet e asfaltimit do të vazhdojnë në drejtim të rrugës “Vëllezërit Gërvalla”.
“Traseja e segmentit nga rruga ‘Driton Islami’ deri te restoranti ‘Ballkani’ pritet të përfundojë me të dyja shtresat e asfaltit dhe të hapet për qarkullim më 5 shtator 2026”, ka shkruar ministri në detyrë.
Ndërkohë, sipas Bashës, punimet po avancojnë edhe në pjesën tjetër të magjistrales. Aktualisht po punohet intensivisht në segmentin që shtrihet nga rruga “Vëllezërit Gërvalla” në drejtim të Urës së Madhe.
Ky segment, sipas tij, është gjithashtu pranë përfundimit, ndërsa pas mbylljes së punimeve në pjesën e parë, do të vazhdojë asfaltimi edhe në pjesët e tjera të kësaj magjistraleje.