Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur fajtor M.D. për dhunë në familje, mospërfillje të gjykatës dhe lëndim të lehtë trupor.
Për këto vepra, ai është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 500 euro gjobë, ndërsa në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 17 shkurti 2026.
Sipas aktgjykimit, M.D. kishte ushtruar dhunë ndaj nënës së tij në shtëpinë e tyre në Novosellë të Epërme, duke shkelur edhe urdhrin për mbrojtje.
Pas një mosmarrëveshjeje për ushqimet, ai e kishte ofenduar dhe shqetësuar, kishte hedhur ushqimet në tokë dhe kishte tentuar ta sulmonte. Nga frika, gruaja ishte mbyllur në dhomë dhe kishte kërkuar ndihmë nga policia.
Megjithatë, dhuna kishte vazhduar. Më 17 shkurt, pas një konflikti tjetër, ai e kishte goditur me shuplaka, e kishte shtyrë dhe rrëzuar mbi tavolinë, duke i shkaktuar lëndim në dorë.
Më pas, sipas gjykatës, e kishte goditur edhe me shkelm dhe kishte marrë një hekur për ndezjen e prushit, duke e kërcënuar: “Të ka ardhur momenti i fundit.”
Si pasojë, nëna e tij kishte pësuar lëndime të lehta trupore.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh.