Meta, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, po përballet në Shtetet e Bashkuara me një proces gjyqësor lidhur me akuzat për shkelje të ligjeve federale dhe shtetërore që mbrojnë privatësinë e fëmijëve.
Kompania akuzohet se platformat e saj janë dizajnuar në mënyrë që të nxisin përdorimin e vazhdueshëm te të rinjtë, ndërsa pretendohet edhe se nuk ka respektuar kërkesat ligjore për mbrojtjen e të dhënave të fëmijëve.
Në proces, katër shtete amerikane pritet të kërkojnë miliarda dollarë në formë dëmshpërblimi ndaj kompanisë.
Rasti lidhet me një padi të ngritur në vitin 2023 nga 29 shtete amerikane, të cilat pretendojnë se Meta ka shkelur rregullat për privatësinë dhe mbrojtjen e të miturve.
Përveç dëmshpërblimit financiar, autoritetet kërkojnë edhe ndryshime në funksionimin e Facebook dhe Instagram, përfshirë mënyrën e paraqitjes së numrit të pëlqimeve dhe funksionin e lëvizjes së pafund të përmbajtjes.
Prokurori i Përgjithshëm i Kentuckyt, Russell Coleman, e ka cilësuar çështjen si një nga paditë më të mëdha në SHBA për mbrojtjen e konsumatorëve.
Meta, ndërkaq, i ka hedhur poshtë fuqishëm akuzat, duke deklaruar se mbrojtja dhe mbështetja e të rinjve mbetet një angazhim afatgjatë i kompanisë.