August 18, 2026
1 min read

Pavarësisht rritjes së pagave dhe punësimit, bie qarkullimi në sektorin e shërbimeve

Qarkullimi në sektorin e shërbimeve në Kosovë ka shënuar rënie prej 0,37 për qind në qershor 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se, në të njëjtën periudhë, numri i të punësuarve në këtë sektor u rrit me 3,27 për qind, ndërsa fondi i pagave dhe mëditjeve u shtua për 14,83 për qind.

Rritja më e madhe e qarkullimit u regjistrua në aktivitetet botuese, prodhimin audiovizual, transmetimin, telekomunikimin, programimin kompjuterik dhe shërbimet e informacionit, me 11,37 për qind.

Rritje të qarkullimit pati edhe në bare dhe restorante, me 10,79 për qind, në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 7,28 për qind, si dhe në hotele me 6,60 për qind.

Në anën tjetër, transporti dhe magazinimi shënuan rënien më të theksuar, prej 15,51 për qind, ndërsa aktivitetet administrative dhe mbështetëse ranë me 8,26 për qind.

Sa i përket punësimit, rritja më e lartë u evidentua në bare dhe restorante, me 6,13 për qind. Në aktivitetet botuese, audiovizuale, telekomunikuese dhe të teknologjisë së informacionit, punësimi u rrit me 3,61 për qind.

Rritje të numrit të të punësuarve pati edhe në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike, me 3,42 për qind; transport dhe magazinim, me 2,48 për qind; hotele, me 0,67 për qind; si dhe në shërbimet administrative e mbështetëse, me 0,49 për qind.

Ndërkohë, fondi i pagave dhe mëditjeve u rrit në të gjitha aktivitetet e përfshira në raport. Rritja më e madhe u regjistrua në bare dhe restorante, me 21,33 për qind.

Në aktivitetet botuese, audiovizuale, telekomunikuese dhe shërbimet e informacionit, fondi i pagave u rrit me 14,31 për qind, ndërsa në aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 14,30 për qind.

Rritje të fondit të pagave pati edhe në aktivitetet administrative dhe mbështetëse, me 13,21 për qind; në hotele, me 12,87 për qind; dhe në transport e magazinim, me 11,75 për qind.

Latest from Blog

Go toTop