August 19, 2026
1 min read

Supremja vendos: Katër të dyshuar për krim të organizuar dhe narkotikë lirohen në liri

Gjykata Supreme ka aprovuar ankesat e mbrojtjes dhe ka vendosur ndërprerjen e paraburgimit për Afrim Derjanin, Mirlind Bislimin, Sahit Shabanin dhe Mufail Shabanin, të cilët dyshohen për vepra penale që lidhen me krim të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje parash.

Katër të pandehurit do të vazhdojnë të mbrohen në liri, pasi Supremja ka konstatuar se Prokuroria nuk e kishte respektuar afatin ligjor për paraqitjen e kërkesës për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Me vendimin e datës 6 gusht 2026, Gjykata Supreme ndryshoi vendimin e Gjykatës së Apelit dhe urdhëroi ndërprerjen e paraburgimit ndaj katër të pandehurve.

Çështja kishte nisur pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte vlerësuar si të vonuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e paraburgimit. Kërkesa, e datës 8 korrik, ishte pranuar në gjykatë më 13 korrik, në ditën kur skadonte masa e paraburgimit.

Megjithatë, Gjykata e Apelit më 21 korrik e kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe kishte ndryshuar vendimin e Themelores, duke ua vazhduar paraburgimin të dyshuarve edhe për dy muaj.

Mbrojtja e katër të pandehurve e kishte dërguar çështjen në Gjykatën Supreme, duke pretenduar shkelje të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe duke kërkuar ndërprerjen e paraburgimit.

Supremja i ka aprovuar këto ankesa dhe ka vendosur që të pandehurit të mbrohen në liri.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Latest from Blog

Go toTop