August 19, 2026
1 min read

Bajrami akuzon Kurtin për krizën politike: “Tri herë në zgjedhje, për të përfunduar sërish në zgjedhje”

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qasjen e mazhorancës lidhur me moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se arsyetimet për mungesën e marrëveshjes për presidentin po e lënë vendin pa institucione funksionale.

Ajo ka kundërshtuar pretendimin se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa një marrëveshje paraprake për presidentin, pasi, sipas saj, edhe moskonstituimi i Kuvendit mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Po nëse nuk e konstituoni Kuvendin, vendi prapë shkon në zgjedhje. Atëherë, çfarë po përpiqeni të shmangni?”, ka deklaruar Bajrami.

Deputetja e LDK-së ka drejtuar kritika edhe ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke ngritur pyetjen se pse, sipas saj, vendi po shtyhet vazhdimisht drejt zgjedhjeve.

“Çka po don Albin Kurti? Pse po e shtyn vendin vazhdimisht drejt zgjedhjeve?”, ka thënë ajo.

Bajrami ka theksuar se qytetarët meritojnë përgjigje për situatën politike, duke e përmbledhur qëndrimin e saj me deklaratën: “Tri herë po shkojmë në zgjedhje, për të përfunduar përsëri në zgjedhje”.

Latest from Blog

Go toTop