Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë duke vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
Ajo ka theksuar se prioriteti kryesor duhet të jetë konstituimi i Kuvendit dhe funksionalizimi i organeve të tij.
“Është e qartë që Kushtetuta është shkelur, është shkelur aktgjykimi final i Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe obligimi parësor i yni është që të konstituohet Kuvendi”, deklaroi Deliu-Kodra.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, deputetja e PDK-së e ka cilësuar atë si çështje të veçantë, duke thënë se nuk mund të ketë diskutime për marrëveshje politike para se Kuvendi dhe organet e tij të jenë funksionale.
“Albin Kurti e ka mundësinë që, pa 22 deputetët e PDK-së, ta zgjedhë presidentin, por nuk mund të flitet për marrëveshje politike pa u konstituuar Kuvendi dhe organet e tij”, u shpreh ajo.
Deliu-Kodra ka paralajmëruar se PDK-ja do t’i vazhdojë aksionet e saj edhe në ditët në vijim.
“Prandaj, ne do t’i vazhdojmë aksionet tona dhe do të jemi çdo mëngjes para Qeverisë”, tha deputetja e PDK-së.