Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Jakup Nura, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se pas zgjedhjeve duhet të respektohet vullneti i qytetarëve dhe të përfundojë sa më shpejt procesi i konstituimit të institucioneve.
Nura ka thënë se subjekti që ka fituar zgjedhjet ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por sipas tij, kjo nuk nënkupton të drejtën për bllokimin e punës së parlamentit.
“Sot nuk po flasim për një parti politike. Po flasim për Kosovën. Qytetarët votuan. Vullneti i tyre është shprehur. Tani duhet të respektohet vullneti dhe të ndërtohen institucionet. Partia që ka fituar zgjedhjet ka të drejtë ta propozojë kryetarin e Kuvendit. Por nuk ka të drejtë ta mbajë peng Kuvendin. Fitorja në zgjedhje është mandat për të qeverisur, jo licencë për ta bllokuar shtetin”, deklaroi Nura.
Ai ka theksuar se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë qartë mënyrën e zhvillimit të seancës konstituive, e cila, sipas tij, duhet të vazhdojë deri në përfundimin e procesit.
“Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit përcaktojnë qartë procedurat e seancës konstituive. Duhet të vazhdojë deri në konstituimin e Kuvendit. Ndërprerja nuk mund të përdoret si mjet për zvarritje të pafundme. 48 orë nuk janë javë, nuk janë muaj. Nuk janë pafundësi”, tha ai.
Nura ka kritikuar edhe rolin e kryesuesit të përkohshëm të seancës, duke thënë se ky funksion duhet të mbetet teknik dhe të mos shndërrohet në instrument të përplasjeve politike.
“Kryesuesi i përkohshëm nuk është kryetar partie, as kryetar parlamenti. Ai nuk është përfaqësues i interesave të një grupi politik, është aty për ta udhëhequr procedurën. Prandaj duhet të themi qartë: një funksion teknik nuk mund të shndërrohet në armë politike”, u shpreh Nura.
Sipas tij, përdorimi i një pozite institucionale për të penguar vetë procedurën përbën problem më të gjerë institucional dhe përgjegjësia, sipas tij, nuk bie vetëm mbi drejtuesin e seancës.
“Kur një pozitë që duhet të garantojë procedurën përdoret për ta bllokuar procedurën, atëherë nuk kemi më një problem procedural, kemi një problem institucional. Dhe përgjegjësia nuk mund të ketë vetëm drejtuesi i seancës. Përgjegjësia shkon edhe te ata që po e përdorin këtë situatë për interesat e tyre politike”, deklaroi ai.
Në fund, Nura adresoi një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj subjektit që doli i pari në zgjedhje, duke theksuar se fitorja elektorale nuk nënkupton kontroll të plotë mbi Kuvendin dhe institucionet e shtetit.
“Ju fituat zgjedhjet, por nuk e keni fituar Kuvendin. Ju nuk e keni fituar Kosovën. Nuk i keni fituar institucionet. Dhe mbi të gjitha, nuk e keni fituar të drejtën për ta mbajtur shtetin peng”, tha Nura.