Deputetja e zgjedhur e Aleancës, Albana Bytyqi, ka kërkuar nga spektri politik që të përshpejtojë formimin e institucioneve të Kosovës, duke theksuar se vendi po përballet me probleme të shumta që kërkojnë veprim të menjëhershëm.
Nga foltorja e Kuvendit, Bytyqi tha se përfaqësuesit e qytetarëve nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj sfidave me të cilat po përballen qytetarët.
“Ne si përfaqësues të popullit nuk mund të qëndrojmë të heshtur kur Kosova ka probleme e sfida që kërkojnë zgjidhje. Para nesh janë shumë tema që duhet të trajtohen me urgjencë nga spektri politik. Të gjithë e dimë se Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen, sepse nafta në vendin tonë është 1.78 euro”, deklaroi ajo.
Bytyqi ka renditur një sërë çështjesh që, sipas saj, e bëjnë të domosdoshëm funksionalizimin e institucioneve.
Ajo përmendi nevojën për ndryshime në ligjin e akcizës, shqetësimet lidhur me ndikimin e votës së komunitetit serb, si dhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë.
“Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen sepse ligji i akcizës duhet të shfuqizohet. Kjo e drejtë dhe ky fakt ka krijuar alarm me faktin e faktorizimit të serbëve dhe votimit të tyre në shtetin tonë. Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen sepse çmimi i produkteve të shportës familjare ka kaluar në ekstrem, duke vështirësuar jetën dhe mirëqenien e qytetarëve”, tha Bytyqi.
Sipas saj, një tjetër urgjencë është krijimi i mundësive për punësim për mijëra të rinj që kanë përfunduar studimet.
“Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen sepse në shtetin tonë janë mijëra të rinj të diplomuar, të cilët kanë nevojë për punë, dinjitet e vazhdim të jetesës në Kosovë”, u shpreh ajo.
Deputetja e Aleancës foli edhe për problemet me furnizimin me energji elektrike, nivelin e pagave dhe emigrimin e qytetarëve.
“Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen sepse Prishtina dhe plot qytete e fshatra në Kosovë nuk kanë energji elektrike me orë të tëra, edhe pse jemi në stinën e verës. Kuvendi dhe institucionet duhet të formohen sepse kemi mbetur vendi me pagat më të vogla në rajon”, deklaroi ajo.
Bytyqi kërkoi gjithashtu rritjen e pagave për mjekët, policët, mësimdhënësit, zjarrfikësit, gjyqtarët dhe doganierët, duke e cilësuar si urgjente ndërhyrjen për përmirësimin e kushteve të tyre.
Ajo ngriti shqetësimin edhe për largimin e qytetarëve nga Kosova, duke kërkuar masa konkrete për ndalimin e këtij trendi.
Në fund, Bytyqi kritikoi mënyrën se si, sipas saj, po trajtohen problemet e vendit dhe tha se zgjidhjet duhet të kërkohen brenda institucioneve të Kosovës.
“Të gjitha këto tema e probleme nuk zgjidhen në fusha futbolli, e as në tryeza ndërkombëtare, e as në pushime e në vende luksi dhe duke u fshehur pas akuzave e kalkulimeve politike. Këto urgjenca kombëtare zgjidhen këtu, në Kuvendin e Kosovës”, tha ajo.
Bytyqi përfundoi duke bërë thirrje për krijimin e institucioneve të reja dhe theksoi se Aleanca do të mbështesë çdo nismë që, sipas saj, është në interes të qytetarëve të Kosovës.