Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një takim të përbashkët me drejtuesit e të gjitha qendrave të partisë në Kosovë, të mbajtur në Gjilan.
Në takim, ku ishin të pranishëm edhe sekretari organizativ Alim Rama dhe koordinatori i qendrave, Salih Zyba, u diskutua për zhvillimet aktuale politike, me theks të veçantë te procesi i konsolidimit të institucioneve.
Pjesë e diskutimeve ishin edhe çështjet organizative, përfshirë forcimin e strukturave në terren, zgjedhjet e brendshme të partisë, planifikimin e punës dhe rritjen e angazhimit në lagje e fshatra.
Takimi përkoi edhe me 21-vjetorin e themelimit të Qendrës së parë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan. Pas mbledhjes, për këtë përvjetor u organizua edhe një koktej.
Në njoftimin e partisë thuhet se 21 vitet e organizimit dhe aktivizmit do të pasohen me angazhim të mëtejshëm në shërbim të qytetarëve dhe Republikës.


