August 21, 2026
1 min read

Hoti pas tragjedive në KEK: Përgjegjësia kërkohet me fakte, jo përmes përplasjeve politike

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar pas debatit politik për aksidentet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ai ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën, si dhe për familjet e viktimave të tjera, duke kërkuar që përgjegjësia të përcaktohet përmes hetimeve dhe në përputhje me ligjin.

Hoti ka kritikuar përdorimin e rasteve tragjike për përplasje politike, duke theksuar se akuzat ndaj institucioneve duhet të bazohen në fakte, shkaqet e aksidenteve dhe kompetencat ligjore.

Ai ka sqaruar se aksidentet e 8 korrikut, 16 dhe 20 gushtit kanë ndodhur në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit dhe lidhen me veprimtarinë minerare. Sipas tij, mbikëqyrja e sigurisë në punë dhe hetimi i aksidenteve në këtë sektor janë kompetencë e Inspektoratit të Minierave në kuadër të KPMM-së, e jo e Inspektoratit Qendror të Punës.

Hoti ka bërë të ditur se në rastin e fundit, Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar menjëherë dhe ka dërguar inspektorët në vendngjarje. Pas inspektimit, është konstatuar se rasti kishte ndodhur në territorin e një miniere të licencuar nga KPMM-ja.

Ndërkohë, ai ka thënë se gjatë katër muajve të fundit janë intensifikuar kontrollet në vendet e punës, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë, ndërsa mbi 180 vendpunishte janë ndaluar për shkak të shkeljeve të konstatuara.

Në fund, Hoti ka kërkuar që institucionet përgjegjëse t’i përfundojnë hetimet dhe çdo rast i neglizhencës apo shkeljes së rregullave të sigurisë të trajtohet sipas ligjit.

“Tragjeditë kërkojnë përgjegjësi, jo përfitim politik”, ka përfunduar ai.

Latest from Blog

Go toTop