Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës i janë drejtuar sërish me letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, duke kërkuar që vazhdimi i seancës të thirret më 22 gusht 2026, në ora 11:00.
Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë, të cilën kjo parti e konsideron shkelje të Kushtetutës dhe mosrespektim të akteve të Gjykatës Kushtetuese.
PDK-ja ka kritikuar edhe mosrespektimin e afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit, duke vlerësuar se kjo vetëm sa e thellon krizën institucionale.
“Duhet të keni parasysh se, sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues, Kuvendi duhet të konstituohet. Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e tij”, thuhet në letrën e deputetëve të PDK-së.
Kjo është kërkesa e radhës e PDK-së drejtuar Deharit për vazhdimin e seancës konstituive dhe funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.
/Demantim News/