Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka reaguar lidhur me situatën politike dhe mosfunksionimin e plotë të institucioneve, duke paralajmëruar se zgjatja e kësaj gjendjeje mund të dëmtojë edhe besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës.
Sipas Reçicës, orientimi strategjik i Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe strukturave euroatlantike nuk dëshmohet vetëm përmes deklaratave, por edhe përmes funksionimit të shtetit, stabilitetit institucional dhe zbatimit të reformave.
Ai vlerëson se përgjegjësia kryesore për krijimin e institucioneve i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti fitues i zgjedhjeve.
“Një mandat më i madh qytetar nënkupton edhe përgjegjësi më të madhe për të ofruar zgjidhje”, ka deklaruar Reçica.
Ai ka kërkuar nga VV-ja më shumë iniciativë për dialog, fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis, duke theksuar se kompromisi politik brenda rendit kushtetues nuk duhet të shihet si dobësi.
Sipas tij, vazhdimi i pasigurisë institucionale mund të dëmtojë interesat strategjike të vendit dhe rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
“Nëse Evropa është zgjedhja jonë strategjike, standardet e saj duhet të reflektohen edhe në kulturën tonë politike. Sot, më shumë se një fitore partiake, Kosovës i duhet përgjegjësi shtetërore”, ka përfunduar Reçica.
/Demantim News/