Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se paraqitja e deputetëve të partisë së saj në Kuvend çdo 48 orë është një mënyrë për të kërkuar formimin dhe funksionalizimin e institucioneve të vendit.
Musliu tha se kjo nuk është një praktikë e re, por pjesë e qëndrimit të PDK-së për respektimin e Kushtetutës dhe vullnetit të qytetarëve.
Sipas saj, deputetët e PDK-së do të vazhdojnë të jenë në Kuvend çdo 48 orë, derisa të konstituohen organet drejtuese të Kuvendit, Qeveria dhe Presidenca.
Ajo theksoi se kundërshtimi i PDK-së po zhvillohet në mënyrë demokratike, duke thënë se deputetët po shprehin pakënaqësinë e tyre dhe kërkesën për të ushtruar mandatin për të cilin janë zgjedhur.
Musliu kritikoi edhe deputetin më të vjetër, Avni Dehari, për mos-thirrjen e seancës, duke pretenduar se një veprim i tillë përbën shkelje të Kushtetutës.
Ajo tha se kërkesa e PDK-së mbetet e qartë: respektimi i Kushtetutës, konstituimi i Kuvendit dhe funksionalizimi i institucioneve të Kosovës.