August 24, 2026
1 min read

Kosova importon mbi 50 milionë euro mish nga Brazili, kufizimet e BE-së ngrenë shqetësime

Kosova vazhdon të ketë varësi të lartë nga importet e mishit, me Brazilin si një nga furnizuesit kryesorë. Vetëm gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, nga ky shtet janë importuar mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule.

Ndërkohë, nga 3 shtatori, Bashkimi Evropian do të kufizojë importet e produkteve me origjinë shtazore nga Brazili për shkak të rregullave lidhur me përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që hyjnë në zinxhirin ushqimor.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në korrik janë importuar nga Brazili mbi 50 milionë euro mish gjedhi dhe pule. Në të njëjtën periudhë, importet e këtyre produkteve nga të gjitha vendet e tjera së bashku kanë kaluar 65 milionë euro.

Ekspertët e sigurisë ushqimore paralajmërojnë se përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve në blegtori mund të ndikojë në krijimin e baktereve rezistente, duke paraqitur rrezik edhe për shëndetin e njerëzve.

Profesori Sali Salihu ka vlerësuar se Kosova duhet t’i shqyrtojë masat e BE-së, veçanërisht duke marrë parasysh varësinë e madhe nga mishi i importuar nga Brazili.

Kosova nuk është e detyruar të zbatojë automatikisht masat e BE-së, por çdo kufizim eventual do të mund të ndikonte në treg dhe në çmimet e mishit.

Prodhimi vendor aktualisht mbulon vetëm rreth 34.2 për qind të nevojave për konsum. Përfaqësuesit e gastronomisë paralajmërojnë se mungesa e alternativave të mjaftueshme mund të sjellë rritje të çmimeve.

Në anën tjetër, ekspertët e shohin situatën si mundësi për forcimin e blegtorisë vendore dhe rritjen e prodhimit të mishit në Kosovë.

Latest from Blog

Go toTop