August 25, 2026
1 min read

Aleanca nis konsolidimin e degëve: “Kosova po jeton në epokën e mashtrimit të madh”

Aleanca ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të Kryesisë ka diskutuar për organizimin dhe funksionimin e degëve të saj nëpër komunat e Kosovës, ndërsa ka paralajmëruar përgatitje për proceset e ardhshme politike.

Kryesia ka formuar Komisionin për përgatitjen, organizimin dhe koordinimin e zgjedhjeve të brendshme në degët ku ende nuk janë mbajtur kuvendet zgjedhore.

Sipas Aleancës, konsolidimi i strukturave të partisë është i domosdoshëm dhe lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet aktuale politike në vend.

Partia ka adresuar kritika të ashpra ndaj pushtetit, duke pretenduar se Kosova po përballet me krizë serioze politike dhe probleme të thella ekonomike.

“Sot, qytetarët e Kosovës po jetojnë në epokën e mashtrimit të madh, po përballen me një krizë serioze politike dhe me një depresion të thellë ekonomik”, thuhet në reagim.

Aleanca ka akuzuar pushtetin edhe për bllokimin e konstituimit të Kuvendit, duke e cilësuar situatën si “shkelje brutale të rendit kushtetues dhe të demokracisë”.

Sipas partisë, pavarësisht përpjekjeve për të gjetur rrugëdalje nga kriza, pushteti aktual po vazhdon ta mbajë vendin në bllokadë.

“Ne jemi të vendosur të vazhdojmë punën në terren, të forcojmë strukturat tona dhe të ofrojmë rrugëdaljen e duhur për vendin”, thuhet në njoftim.

Në fund, Aleanca ka dhënë sinjale për përgatitje për zhvillimet e ardhshme politike, me mesazhin: “Po bëhemi gati për proceset që na presin.”

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop