Javë më parë në Kosovë u konfirmua një rast me Virusin e Nilit Perëndimor, pasi një 21-vjeçar rezultoi pozitiv dhe u hospitalizua në Klinikën Infektive.
I riu qëndroi për trajtim për më shumë se dy javë, ndërsa pas shërimit të tij nuk janë regjistruar raste të reja të dyshuara.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Berisha Ndrejaj, ka deklaruar se virusi transmetohet kryesisht përmes mushkonjave, ndërsa ka theksuar se aktualisht në Kosovë nuk bëhet fjalë për epidemi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se gjatë periudhës 2021–2025 në Kosovë janë regjistruar gjithsej nëntë raste me Virusin e Nilit Perëndimor.
Prej tyre, shtatë raste janë regjistruar gjatë vitit 2024, ndërsa nga një rast në vitet 2023 dhe 2025.
“Momentalisht nuk ka raste të tjera të dyshuara me Virusin e Nilit Perëndimor në Kosovë”, kanë bërë të ditur nga IKSHPK.
Instituti ka rekomanduar kujdes të shtuar dhe masa mbrojtëse ndaj pickimit të mushkonjave, veçanërisht gjatë periudhave kur aktiviteti i tyre është më i madh.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe nuk përhapet zakonisht drejtpërdrejt nga një person te tjetri.
/Demantim News/