October 16, 2026
1 min read

Gjykata vendos masat e sigurisë për protestuesit e arrestuar në Tiranë

Protestuesit e arrestuar pas tubimit të 13 tetorit në Tiranë kanë dalë këtë të premte para gjykatës, ku është shqyrtuar caktimi i masave të sigurisë ndaj tyre. Seanca gjyqësore ka nisur në orën 08:30, ndërsa shqyrtimi i rasteve po bëhet në grupe për shkak të hapësirave të kufizuara.

Çështja po trajtohet nga gjyqtarja Amarilda Sulaj. Ndërkohë, pranë gjykatës janë angazhuar edhe forca policore të pajisura me skafandra dhe maska kundër gazit, në gatishmëri për të reaguar në rast të ndonjë përshkallëzimi të situatës. Deri më tani, gjendja paraqitet e qetë.

Për protestuesit janë caktuar masa të ndryshme sigurie, përfshirë arrestin shtëpiak, detyrimin për paraqitje periodike dhe masën e arrestit me burg. Identiteti i personit ndaj të cilit është caktuar paraburgimi nuk është bërë i ditur.

Tetë vepra penale ndaj protestuesve

Arrestimet pasuan incidentet e regjistruara gjatë protestës së 13 tetorit në kryeqytetin shqiptar. Gjatë tubimit u raportuan sulme ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, dëmtime të bizneseve dhe bankomateve, djegie të kontejnerëve të mbeturinave, si dhe përplasje me Policinë.

Ndaj personave të arrestuar rëndojnë tetë vepra penale: goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe qetësisë publike, shkelje e rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit, shkatërrim i pronës, shkatërrim i pronës me zjarr, kundërshtim i punonjësit të rendit publik, si dhe prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta.

Në kuadër të hetimeve për ngjarjet e protestës, 49 persona të tjerë janë vënë nën hetim. Gjatë incidenteve, lëndime kanë pësuar edhe gjashtë punonjës policie.

Latest from Blog

Go toTop