Një person është arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se është paraqitur rrejshëm si punonjës i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke u kërkuar qytetarëve para në këmbim të premtimeve për punësim në këtë institucion.
Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me AKI-në dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka zhvilluar hetime lidhur me rastin e mashtrimit, i cili ishte raportuar në tetor të këtij viti.
I dyshuari, Donat Novosella, është arrestuar pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave e dëshmive. Ai dyshohet se nga fillimi i vitit 2025 e deri në raportimin e rastit, është paraqitur rrejshëm si pjesëtar i AKI-së, duke kërkuar shuma të ndryshme parash në këmbim të punësimit në këtë institucion.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa procedurat ligjore do të vazhdojnë më tej.
Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për parandalimin dhe hetimin e veprave penale, si dhe për mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet dhe keqpërdorimi i besimit.
Njëkohësisht, policia u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj personave që premtojnë punësim në institucione publike në këmbim të parave, duke kërkuar që rastet e tilla të raportohen menjëherë në organet kompetente.