October 26, 2026
4 mins read

“A duhet me më vra Jetoni që ju ta arrestoni?”, çka u tha policëve, Arlinda Zekaj pak orë para se të vritej?

Pak orë para se t’i merrej jeta, Arlinda Zekaj iu drejtua policisë me një pyetje që sot tingëllon si paralajmërim për vrasjen e saj dhe tregon dështimin e institucioneve për ta mbrojtur jetën  e një gruaje.

“A duhetme më vra mua Jetoni, që ju policia atëherë ta arrestoni atë?”, kishte pyetur ajo policët, sipas raportit të organeve të ndjekjesë që mbajnë datën 25 tetorit 2026.

Në orën 17:58 të asaj dite, Arlinda kishte dhënë dëshminë e saj të fundit në polici. Ajo kishte rrëfyer se si, pas një përplasjeje në shtëpi, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, e kishte kërcënuar dhe ia kishte hedhur rrobat në oborr.

“Pasi unë kam dalë nga banjo dhe e kam pritur lavatriqen që t’i përfundojë rrobat e anëtarëve të Jetonit, dhe pasi përfundoi lavatriqja, unë i kam futur rrobat e mija që të pastrohen, e kam lëshuar lavatriqen dhe shkova në kuzhinë për të ngrënë bukë. Vetëm kur e kam dëgjuar Jetonin duke bërtitur me të madhe dhe ka filluar që të më kërcënojë me fjalët: ‘Unë të thyej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time, ti nuk guxon kështu me vepru, kush je ti’, dhe me pasi i kishte marrë rrobat e mija dhe i ka gjuajtur në oborrin e shtëpisë, siç edhe e kanë parë policia. Unë menjëherë nga frika e kam thirrur policin.”

Ajo kishte treguar se, nga frika, e kishte thirrur menjëherë policinë.

Edhe pse kishte deklaruar se nuk ndihej mjaftueshëm e sigurt, Arlinda kishte refuzuar të shkonte në strehimore. Ajo kishte këmbëngulur se nuk do të hiqte dorë nga djali dhe prona e saj.

“Nuk e ndi veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime. Shteti ka pasur obligim dhe ka për t’i larguar uzurpatorët nga shtëpia ime”, kishte deklaruar ajo, sipas raportit policor.

Por, kërcënimet e raportuara atë ditë nuk ishin fillimi i historisë së Arlindës.

Në qendër të konfliktit ishte edhe djali i saj 12-vjeçar, i cili ka shtetësi amerikane.

Sipas të dhënave të rastit, pasi djali kishte shkuar për vizitë te axha i tij, nuk i ishte kthyer më nënës. Arlinda pretendonte se fëmija ishte mbajtur nga familjarët e babait dhe se ishte privuar nga mundësia për t’u kthyer tek ajo.

Rasti ishte raportuar në polici më 10 korrik 2026 dhe ishte regjistruar me numrin referues 2026-DA-853.

Më 13 korrik, Arlinda ishte intervistuar sërish, ndërsa një ditë më vonë ishte marrë në pyetje edhe Jeton Sylaj bashkë më të birin, që kishte deklaruar se dëshironte të qëndronte të familja e babit.

Por raportet hetimore nxjerri një fakt të pamohueshëm, që i biri i saj ishte braktisur edhe nga i ati i cili kishte shkuar në Amerikë me 5 shtator të 2026, duke lënë kujdestarin e të birit tek palët e treta.

Të ndodhur përball këtij fakti, Gjykata Themelore në Pejë vendosi më 16 shtator që i mituri të kthehet në kujdestarinë e së ëmës.

E po ashtu, gjykata vendosi alimentacionin që duhet ta paguajnë dhe urdhrin mbrojtës të afrimit të Jetonit ndaj saj .

“Jeton Sylajt i ndalohet t’i afrohet palës së mbrojtur, Arlinda Zekaj, në distancë prej 2 metrash në shtëpinë ku aktualisht qëndron pala e mbrojtur, si dhe në distancë prej 20 metrash në rrugë, qytet, fshat apo në vendin e saj të punës. Gjithashtu, i ndalohet të ushtrojë dhunë fizike ose psikike, t’ia bllokojë lëvizjen viktimës, ta ofendojë, ta shqetësojë apo ta kërcënojë palën e mbrojtur.”

Por për veç këtij raporti dhjetëra faqesh të datë 16 tetor 2026, ekzistojnë edhe vendimet e organeve të drejtësisë që mbajnë datën 23 tetor dhe 25 tetor, ku Arlinda kërkonte nga shteti që të zbatonin vendimin për kthimin e të birit tek ajo.

Sipas aktakuzës së ngritur më 23 tetor 2026 nga prokurorja Nora Tigani, Jeton Sylaj akuzohet për veprën penale të kanosjes, sipas nenit 181, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dokumenti përshkruan një histori kërcënimesh që, sipas materialeve të administruara nga prokuroria, i ishin drejtuar Arlindës.

“Kam me të mbyt”, “kam me të ngre zhag”, “as ushtria s’ka me mujt me të hek nga dora ime”, si dhe “s’ki me pa djalin nëse jam gjallë unë”, janë disa nga shprehjet e cituara në aktakuzë.

Pra, kërcënimet e pretenduara ishin bërë objekt i raportimeve dhe veprimeve institucionale disa muaj para vrasjes së Arlindës.

Më 23 tetor, dy ditë para vrasjes, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për kanosje.

Më 25 tetor, pak orë para se të vritej, Arlinda u kthye sërish te policia për të raportuar kërcënimet dhe për të shprehur frikën për jetën e saj.

“A duhet më me më vra Jetonin, që ju ta arrestoni?”, ishte pyetja e saj.

Arlinda kishte raportuar kërcënimet. Kishte shprehur frikën për jetën e saj. Kishte kërkuar të mos ndahej nga djali.

Pak orë para se të vritej, ajo ishte kthyer në shtëpi nga Policia, pasi e kishte raportuar sërish bashkëshortin për dhunë. Ai ishte arrestuar, pasi tashmë ndaj tij ekzistonte kallëzim penal. Por, pasi policia e kishte lënë Arlindën te dera e shtëpisë, vetëm pak minuta më vonë, ajo u vra me sëpatë nga kunati i saj.

Pyetja që Arlinda ua kishte drejtuar policëve, nëse duhej të vdiste që shteti të vepronte, mori përgjigjen më tragjike të mundshme: ajo u vra.

Latest from Blog

Nesër varroset Arlinda Zekaj

Vrasja e Arlinda Zekajt nga kunati i saj, mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës, ka tronditur opinionin publik në Kosovë. Familja ka njoftuar për ceremoninë e varrimit të saj. Arlinda
Go toTop