E para e vendit, Vjosa Osmani para pak minutave ka vendosur që ta shpërndan Kuvendin e Kosovës.
E lidhur me këtë ka reaguar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai është shprehur se e mbështet dhe e mirëpret qendrimin e Osmanit.
Postimi i plotë:
Mbështes dhe mirëpres, siç edhe pritej, dekretin dhe qëndrimin e presidentes së republikës Vjosa Osmani-Sadriu, për shpërndarjen e kuvendit.
LDK-ja vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të republikës.
Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla.
Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike.
Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi u takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit.