Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me familjarë dhe bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe tek varri i veprimtarit të shquar, Xhemail Mustafa, në 25-vjetorin e vrasjes së tij.
Abdixhiku ka kujtuar figurën e Mustafës si shkrimtar, publicist, gazetar, këshilltar politik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova, duke e konsideruar atë një nga kolosët e lëvizjes politike të viteve ’90.
Si profil shumëdimensional, Mustafa punoi redaktor në fushën e kulturës në gazetën “Rilindja”, pastaj zelli i tij prej një doajeni të gazetarisë e informimi të opinionit publik, vazhdoi edhe në Qendrën Informative të Kosovës(QIK), deri në momentet e vrasjes së tij. Gjurmët dhe kontributi i tij për liri, pavarësi e demokraci janë të përhershme për vendin. Vrasja e tij, në hyrje të banesës, ishte tronditje e madhe jo vetëm për familjen dhe rrethin e bashkëpunëtorëve, por për të gjithë vendin, i cili sapo kishte dalë nga lufta”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se dhimbja për Mustafën bëhet edhe më e madhe pasi vrasja e tij mbetet ende e pazbuluar, dhe kujtimi për të është i përjetshëm.
“Në këtë përvjetor të tij, dhimbja bëhet edhe më e madhe për familjen, LDK-në dhe bashkëpunëtorët e tij, pasi vrasja e tij mbetet ende e pazbuluar.
Kujtimi për Xhemail Mustafën është i përjetshëm!”, shkroi i pari i LDK-së .