Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pas takimit me liderin e LVV-së, Albin Kurti, se është shënuar përparim në diskutimet për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Abdixhiku ka bërë të ditur se gjatë takimit janë trajtuar për herë të parë edhe emra konkretë, ndërsa ka thënë se shumica e kandidaturave të propozuara janë në përputhje me parimet për të cilat palët janë pajtuar më herët.
“Ky është një hap përpara, sepse kemi kaluar te emrat. Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të diskutoj për emra konkretë, por do të takohemi sërish”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka lënë të kuptohet se procesi nuk ka përfunduar ende dhe se palët do t’i vazhdojnë diskutimet në takimet e ardhshme.
Në deklarimin e tij, kreu i LDK-së ka insistuar edhe në pavarësinë e qëndrimeve të partisë, duke theksuar se LDK-ja nuk vepron si pjesë e ndonjë subjekti tjetër politik.
“LDK-ja është e LDK-së, nuk është vagon i asnjë partie tjetër”, ka theksuar Abdixhiku.