Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka përshëndetur përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, iniciativë kjo e nisur nga presidenti Donald Trump.
Ai tha se kjo iniciativë është një moment që tejkalon secilin lajm ditor.
“Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj”, u shpreh Abdixhiku në një postim në Facebook.
Ai shtoi se në një botë gjithnjë e më fragjile, “çdo hap i përbashkët me ShBA-në është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet këtë hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik. Sepse sukseset e Kosovës janë arritje kombëtare para së cilave e me të cilat mburremi të gjithë”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.