January 14, 2026
1 min read

Abdixhiku pret në takim Sorensenin, i kërkon që BE ta vazhdojë angazhimin për Kosovën

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur sot në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Abdixhiku deklaroi se me Sorensenin diskutoi për situatën aktuale politike në vend dhe për proceset ndërkombëtare që e presin Kosovën.

Ai shton se në këtë takim theksoi rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik në vend, si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, për besimin e qytetarëve te shteti, për zhvillimin ekonomik, për tërheqjen e investimeve dhe për ruajtjen e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Në përmbyllje të takimit, shpreha pritjen që Bashkimi Evropian të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe kreun e PDK-së, Bedri Hamzën.

Latest from Blog

Go toTop