Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tashmë i nominuar i kësaj partie për kryeministër, ka zbuluar prapaskena nga zhvillimet politike, para se Kuvendi i Kosovës të shpërndahej.
Abdixhiku ka treguar se në ditën kur është caktuar mandatari i dytë i Vetëvendosjes për ta formuar qeverinë, kishte shprehur gatishmërinë te presidentja e vendit për votimin e një pakojë në Kuvend, që përfshinte çështjet e buxhetit.
Këtë porosi, ai thotë se Vjosa Osmani e ka përcjellë te VV-ja, të cilët kanë pasur qasje pozitive sipas tij por nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë.
“Në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i kam shprehur gatishmërinë Presidentes së vendit që të votohet një pako, e cila madje mund të quhej edhe Pako e Presidentes; me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes.
Në mbrëmje, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Presidentja më ka kontaktuar, duke më thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide.”
Tutje, Abdixhiku thotë se ka folur edhe me liderët e partive tjera për këtë pako.
“Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si Kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si Kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit. Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it.”
Lideri i LDK-së tutje shprehet se përveç që pati vonesa deri në ditën e fundit të afatit për të prezantuar kabinetin, ka pasur tendencë edhe për fajësim politik.
“15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik.
Ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vet unë, na u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gadishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht.
Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë. Ani pse ishin shpenzuar 15 dië pa asnjë nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gadishmëri as për ta diskutuar bashkarisht në mjë vend këtë ide.”
Në fund, ai thotë se bllokada ka qenë e qëllimshme dhe ishte inskenim i një beteje.
“Gjithsesi, per të gjitha sfidat ka zgjidhje. Do ta shihni dhe në ditët në vijim se bllokada ishte e qëllimshme. Nuk është e re. Po zgjatë tash e 12 muaj. Se krejt kjo krizë është inskenim i një beteje të Don Kishotit me mullinj të erës.”