Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka takuar sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Gjatë këtij takimi u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe qëndrimet e këtij subjekti politik ndaj tyre, me theks të veçantë në domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit institucional dhe në situatën e krijuar rreth çështjes së presidentit.
Sipas njoftimit, Abdixhiku ka vlerësuar se në momente të tilla, respektimi i rendit kushtetues dhe maturia politike mbeten parakushte thelbësore për funksionimin demokratik të vendit.
“Shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke vlerësuar rolin e saj të rëndësishëm në forcimin e stabilitetit, demokracisë dhe orientimit evropian të vendit tonë. Po ashtu, theksova rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në ekonomi, zhvillim dhe integrim evropian”, tha Abdixhiku përmes një postimi në Facebook.