Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka komentuar zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, ani pse si parti abstenuan në këtë proces.
Për Nenad Rashiqin, Krasniqi nuk ka hatërmbetje, madje thotë se ka mirëkuptim dhe se kanë qenë kolegë në Kuvend e Qeveri.
Derisa kur u pyet për abstenim, Krasniqi krahason veten me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, e që sipas tij, ai, ndryshe nga Kurti, nuk i ndanë serbë të mirë me serbë të këqij.
Ndër të tjera, gjatë deklarimit para mediave, Krasniqi tha se PDK ka vendosur për të gjithë njëjtë, ose ndryshe, sipas tij, i bie që do të bien në grackën e Kurtit.
“E para e punës Nenaq Rashiqin e njoh para Albin Kurtit, kam punuar me të, kemi qenë kolegë në Kuvend e Qeveri, Herë ka qenë i pavarur, herë me Listën Serbe e pastaj i pavarur. Për dallim prej Albin Kurtit, nuk i ndaj në serbë të mirë e serbë të këqij. Nuk i takon partive politike, e aq më pak lidershipit shqiptar. Kjo i takon të kaluarës. Ne kemi vendosur për të gjithë njëjtë. Përndryshe, i bie me ra në grackën e Albin Kurtit”, tha Krasniqi.