Administrata e presidentit Donald Trump ka përfunduar planet për të lejuar kërkime dhe shpime për naftë dhe gaz në një rezervat të mbrojtur natyror në Alaskë, duke ringjallur tensionet e vjetra për ruajtjen e një prej pasurive më të rëndësishme mjedisore të Shteteve të Bashkuara.
Departamenti Amerikan i Brendshëm njoftoi të enjten se do të hapë për eksplorim pjesën bregdetare të Rezervatit Kombëtar të Kafshëve të Egra Arktike një zonë e shenjtë për komunitetet indigjene Inupiaq dhe Gwich’in.
Ky vendim, sipas autoriteteve, është pjesë e një pakete gjithëpërfshirëse për të nxitur zhvillimin energjetik dhe për të modernizuar menaxhimin e tokës dhe burimeve në Alaska.
Plani i ri hap rrugën për dhënien me qira të sipërfaqeve të mëdha për kërkime dhe shpime, në një zonë prej rreth 1.5 milionë hektarësh.
Sekretari amerikan i Brendshëm, Doug Burgum, tha se ky vendim është në përputhje me politikën e Trump për të “çliruar potencialin energjetik të Alaskës dhe për të mbështetur komunitetet lokale”.Një ligj republikan i miratuar gjatë verës parashikon të paktën katër shitje të licencave për kërkim në territorin e rezervatit gjatë dhjetë viteve të ardhshme, përmes një pakete që përfshin edhe lehtësime tatimore dhe shkurtime buxhetore.