March 19, 2026
6 mins read

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës ku janë marrë disa vendime.

Paraprakisht, kryeministri Kurti i është adresuar kabinetit qeveritar me një fjalim të gjatë.

Kurti fillimisht ka folur për mërgimtarët që vdiqën tragjikisht në Austri.

Adresimi i Kryeministrit Kurti në mbledhjen e 5-të të Qeverisë:

Mbrëmjen e së martës, u pikëlluam e u tronditën të gjithë nga lajmi për vdekjen tragjike të tre shtetasve të Republikës së Kosovës në një kantier ndërtimi në Alsergrund të Vjenës, në Austri.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet Bajrami, Musliu dhe Zeka, si dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo ngjarje e rëndë.

Pajtimi, Asllani dhe Istrefi do të kujtohen përherë si punëtorë e bashkatdhetarë. Vdekja e tyre tragjike, duke punuar jashtë vendit, duhet të na shërbejë si moment përkujdesjeje dhe reflektimi për sakrificën dhe mundin, shpeshherë jo të çmuar sa duhet të mërgatës sonë; vënien në limite të qenies së tyre, duke u angazhuar për familjet dhe vendin tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është në komunikim të ngushtë me ambasadën tonë në Vjenë dhe nëpërmjet saj, me autoritetet austriake, për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme për familjet e të ndjerëve.

E tash, në nderim të shtetasve tanë, të cilët humbën jetën tragjikisht, duke punuar për veten dhe për familjet e tyre, e duke i kontribuar edhe vendit tonë, ju ftoj të ngritemi në këmbë për një minutë heshtje!

U prehshin në paqe!

Të nderuar kolegë,

Të dashur qytetarë,

Jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë me helikopterë dhe parashutistë në zonat e banuara me shqiptarë në Komunën e Bujanovcit, fare pranë kufirit me Republikën e Kosovës.

Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës.

Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaqevë nga Njësia e Brigadës 63 të Parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një shfaqje të rrezikshme të agresionit.

Kjo shfaqje bëhet edhe më alarmuese, kur kujtojmë se e njëjta njësi ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Milan Radojçiq, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur vranë rreshterin policor, Afrim Bunjakun, heroin e Kosovës.

Këto lëvizje ushtarake, të kombinuara me retorikën nxitëse të Presidentit të Serbisë, Vuçiq, se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kroaci – Shqipëri – Kosovë, si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus, konfirmojnë se Serbia po përdorë ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit nën tension të vazhdueshëm.

Në një kohë kur siguria globale është tejet e brishtë për shkak të agresionit të vazhdueshëm rus në Ukrainë, si dhe tensioneve në rritje në Lindjen e Mesme, me Iranin gjithnjë e më agresor ndaj fqinjëve, Beogradi po shfrytëzon këtë moment për të sfiduar gatishmërinë e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe në përgjithësi stabilitetin e Ballkanit Perëndimor sipas interesave të Serbisë dhe aleatëve të saj, Rusisë dhe Iranit, që duan të kenë trazira, konflikte dhe paqëndrueshmëri gjithandej.

Në anën tjetër, duhet të vërejmë edhe që Serbia këtë po e bën nga dëshpërimi i saj.

Së pari, tash nuk kanë më struktura ilegale e paralele në Kosovë, që të na destabilizojnë e cenojnë së brendshmi, andaj, sillen e pështillen rrotull kufirit dhe

Së dyti, Serbia nuk mund ta mbajë më rajonin tonë të Evropës Juglindore peng. Ajo ka ngelur e fundit për nga indekset ndërkombëtare të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Të gjithë në te tjerët e duam Bashkimin Evropian, kurse ajo është përcaktuar për Federatën ruse.

Me këtë rast, thirrja jonë për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, është që të mos bien pre e politikave nxitëse e destabiliziuese, autokrate dhe shtypëse.

Institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për t’u përballur me çdo kërcënim. Por, është koha, që komuniteti ndërkombëtar të ndëshkojë këtë qasje destabilizuese të Serbisë, që kërcënon drejtpërdrejt paqen dhe sigurinë rajonale.

Është koha e fundit pra, që bota demokratike të dënojë veprime të tilla të përsëritura të Serbisë dhe të ndërmarrë hapa konkret për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.

Të nderuar kolegë,

Të dashur qytetarë,

Sot, në mbledhjen e 5-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në rend dite kemi 17 pika. Disa prej tyre paraqesin pikënisje e të tjerat vazhdime të punëve të mira.

Në vijimësi të mbështetjes së Qeverisë sonë për Luginën e Preshevës, kemi propozimin për mbulimin e pagesës për 37 specializantë me vetëfinancim, të cilët vijnë nga Lugina, e po ashtu edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Shqipëria.

Kjo mbështetje lehtëson barrën, mundëson vazhdimin e zhvillimit profesional dhe krijon kushte për përfshirjen e tyre në shërbime shëndetësore.

Krahas kësaj, kemi edhe propozimin tjetër të Ministrisë së Shëndetësisë për mbulimin e pagesës së 55 specializantëve me vetëfinancim nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere.

Këta profesionistë janë tashmë pjesë e sistemit shëndetësor dhe po kontribuojnë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Mbështetja financiare synon të sigurojë vazhdimësinë e specializimeve të tyre.

Për mundësim të punësimit në institucionet publike si masë afirmative e në shërbim të integrimit të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës së Kosovës, Qeveria e zgjatë edhe për tre muaj mandatin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut.

Duke vlerësuar lart luftën për liri dhe pavarësi të popullit tonë, për herë të parë vlerat e Luftës Çlirimtare, i kemi vendosur në emërtimin e një ministrie, të cilën sot do t’ia kalojmë një zyre të rëndësishme.

Bartja e Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së në kuadër të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, synon forcimin e përkujdesjes institucionale dhe koordinim më të drejtpërdrejt të politikave për kategoritë e dala nga Lufta Çlirimtare.

Në përputhje me nenin 17 të Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe familjeve të tyre, kjo zyrë bashkërendon aktivitetet për këto kategori, mban regjistrin qendror për dëshmorët, invalidët, veteranët dhe viktimat civile të luftës, lëshon vërtetime zyrtare mbi bazën e këtij regjistri dhe ofron mbështetje administrative e financiare për Komisionin Qeveritar përkatës.

Duke kursyer minutat tjerë për prezantimin e pikave nga ministrat, ju ftoj ta nisim menjëherë me rendin e ditës. Ju faleminderit për vëmendje.

Latest from Blog

Go toTop