Rreth 16 mijë qytetarë kanë firmosur peticionin e inicuar nga organizatat e dala nga lufta për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahet në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Në peticionin kombëtar drejtuar Dhomave të Specializuara të gjykatës me seli në Hagë kërkohet që vendimi për ish-krerët e UÇK-së të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara në gjykim.
“Çdo ndikim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë politik, do të dëmtonte rëndë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila presim të jetë e paanshme dhe pa standarde të dyfishta.Respektim të plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; që garantojnë proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë”.
“Trajtim dinjitoz dhe njerëzor, në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e të paraburgosurve, duke garantuar respekt të plotë për integritetin fizik dhe psikologjik të tyre; përfshirë këtu edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit dhe parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet mes tjerash në peticion.