August 13, 2026
2 mins read

Akuza për bashkëpunim me të dyshuarin për spiunazh, kryetari i Dragashit paralajmëron kallëzim ndaj zyrtarit të VV-së

Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Dragashit, Filiz Mustafa, ka pretenduar se Fehim Sali, i arrestuar sot nën dyshimin për spiunazh, nuk është personi i vetëm që, sipas tij, ka pasur bashkëpunim me pushtetin komunal të LDK-së në këtë komunë.

Mustafa ka drejtuar akuza ndaj kryetarit të Dragashit, Bexhet Xheladini, duke pretenduar se ai nuk e ka pasur problem të bashkëpunojë edhe me persona që, sipas tij, kanë veprimtari të dyshimta.

“Ky nuk është bashkëpunëtori i vetëm i pushtetit komunal të LDK-së në Sharr që ka ushtruar një veprimtari të tillë. Hetimi duhet të zgjerohet edhe më tutje, edhe tek ata që janë me funksione brenda ekzekutivit lokal në Sharr, edhe tek partnerët e tjerë të koalicionit të Bexhet Xheladinit, i cili kur të vjen në pyetje pushteti nuk e ka problem bashkëpunimin edhe me njerëz të tillë që dihet botërisht se satelitë të kujt janë”, ka shkruar Mustafa.

Këto pretendime janë mohuar nga Xheladini, i cili ka paralajmëruar kallëzim në polici ndaj Mustafës. Ai ka deklaruar se Sali nuk është pjesë e administratës komunale dhe nuk merr pagë nga Komuna e Dragashit.

“Personi që është arrestuar nuk është punëtor i sistemit kosovar të arsimit. Ai s’ka lidhje me komunën, absolutisht. Ai pagë nga komuna s’merr dhe s’është punëtor i komunës. Ai është i sistemit paralel”, ka deklaruar Xheladini, duke mohuar gjithashtu se i dyshuari është pjesë e ndonjë partie politike në komunë.

Xheladini ka bërë të ditur se institucionet komunale po përgatisin dokumentacionin për kallëzimin në polici ndaj Mustafës.

“Sot zyrtarët tanë janë duke përgatitur shkresën për kallëzim në polici”, ka thënë ai.

Fehim Sali është arrestuar mëngjesin e sotëm në pikën kufitare të Merdarës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit. Sipas të dhënave të bëra publike, ai punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes.

Ndërkohë, Mustafa, i cili në zgjedhjet e fundit të qershorit ka qenë edhe kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka publikuar një fotografi të vjetër ku shihen Ivica Daçiç dhe Fehim Sali së bashku. Ai pretendon se kjo fotografi duhej të shërbente si arsye për pushtetarët lokalë të LDK-së dhe PDK-së që të ndërprisnin komunikimin me Saliun.

“Ky fotografim i bërë para disa vitesh ku janë bashkë Ivica Daçiç dhe i arrestuari i sotëm Fehim Sali, sikur nuk shërbente si argument për pushtetarët e ish pushtetarët lokal në Sharr (LDK&PDK), për të ndërprerë çdo komunikim me këtë njeri, që shihej e dihej haptazi se kujt i shërben.”

Mustafa ka shtuar se arrestimi i sotëm tregon, sipas tij, se institucionet shtetërore kanë ndërmarrë veprime, ndërsa ka kritikuar qeverisjet e mëparshme lokale për rolin që, sipas tij, Sali kishte në koalicionet dhe negociatat politike në komunë.

“Sot, shteti dhe institucionet përkatëse vepruan. Teksa në qeverisjet paraprake, i njëjti ishte jo rallëherë ‘playmaker’ i koalicioneve lokale dhe negocimeve me pushtetet”, ka shkruar Mustafa.

Latest from Blog

Go toTop