Rreth 18 mijë banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në qendër të Dresdenit pas gjetjes së një bombe britanike 250 kilogramëshe nga Lufta e Dytë Botërore, gjatë punimeve në një urë pranë bregut të lumit Elbe. Operacioni u konsiderua si evakuimi më i madh që është kryer ndonjëherë në këtë qytet të Gjermanisë Lindore.
Siç raportojnë mediat, operacioni filloi rreth orës 09:00 dhe morën pjesë mbi 400 policë, si dhe u përdorën helikopterë dhe dronë për të siguruar largimin e banorëve dhe mbylljen e zonës. Qëllimi ishte që shtëpitë, dyqanet, shkollat, shtëpitë e pleqve dhe zyrat në një rreze prej një kilometri të ishin larg nga rreziku, transmeton Klankosova.tv.
Mes ndërtesave të prekura janë edhe monumente historike të qytetit, përfshirë pallatin Zwinger dhe Kishën e Shën Mërisë (Frauenkirche). Policia njoftoi se bomba e neutralizuar do të transportohet në një qendër të specializuar për t’u shkatërruar në mënyrë të sigurt.
Kjo nuk është hera e parë që Dresdeni përballet me bomba të Luftës së Dytë Botërore: në janar dhe gusht të vitit 2025 u gjetën dhe u neutralizuan edhe disa bomba të tjera. Qyteti u bombardua rëndë nga forcat Aleate më 13-14 shkurt 1945, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha.