Pas dështimit për të siguruar Thiago Silvën, Milani vijon kërkimet për një mbrojtës që përmbush kërkesat e Massimiliano Allegrit. Në krye të listës është Federico Gatti, i cili së fundmi rinovoi kontratën me Juven deri në vitin 2030 dhe konsiderohet lojtar kyç për bardhezinjtë, pavarësisht problemeve të vazhdueshme në repartin e mbrojtjes.
Sipas “La Repubblica”, Milani po shqyrton mundësinë e një shkëmbimi. Fillimisht u përfol për Samuele Riccin, por marrëveshja shihet si e ndërlikuar. Së fundmi, si alternativë është përmendur Koni De Winter, ish-lojtar i Genoas dhe produkt i akademisë së Juventusit, një profil që mund t’i interesojë klubit torinez, edhe pse nuk është opsioni i parë.
Nga ana tjetër, Gatti do të ishte i hapur për një ribashkim me Allegrin, trajnerin që e afirmoi te Juventusi. Negociatat zyrtare ende nuk kanë nisur, ndërsa mbetet për t’u parë nëse të dy klubet do të pranojnë një shkëmbim mes rivalësh direktë për zonën e Ligës së Kampionëve. Zhvillime konkrete priten në ditët e para të janarit.