December 11, 2025
1 min read

Ambasada e kritikoi LVV-në, Kurti: Çështja është mes saj dhe KQZ-së, unë jam kryeministër

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe dhe reagimet e Ambasadës Amerikane dhe organizatave të shoqërisë civile ndaj zhvillimeve të fundit në KQZ me partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila kontrollohet nga Beogradi.

Ambasada amerikane pati reaguar ndaj votimit kundër të dy anëtarëve të LVV-së në KQZ për të mos certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Anëtarë tjerë patën abstenuar, dhe rrjedhimisht, kjo parti nuk ishte certifikuar. Për këtë vendim, LS-ja ishte ankuar në PZAP, i cili e kishte hedhur poshtë vendimin e KQZ-së, duke e detyruar të njëjtën që të certifikojë LS-në.

Ndërkaq, në reagimin e Ambasadës thuhej: “Përpjekjet e LVV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë dritëshkurtra dhe përçarëse”.

E Kurti, duke tentuar të shmang përgjegjësinë si kryetar i LVV-së, kur u pyet për këto reagime, tha se “unë jam kryeministër” ndërsa sipas tij çështja është mes Ambasadës dhe KQZ-së.

“Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane, është çështje e KQZ-së, unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha ai sipas EkonomiaOnline, derisa po merrte pjesë në vendosjen e gurthemelit të stadiumit në Podujevë.

KQZ-ja të mërkurën refuzoi certifikimin e listës së kandidatëve për deputetë të LS-së, pasi dy anëtarët e LVV-së votuan kundër, kurse gjashtë të tjerë abstenuan në votim.

Demokracia në Veprim (DnV) ka reaguar në lidhje me vendimin për moscertifikim e Listës Serbe duke shprehur shqetësimin duke thënë se ky nuk është rasti i parë që KQZ devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme.

Latest from Blog

Fillon “Nata e Zjarreve”, në Prekaz

Në Prekazin legjendar ka filuar “Nata e Zjarreve”, në nderim të familjes Jashari dhe manifestim të Epopesë së UÇK-së. Ndezja e flakadanëve dhe marshi i përbashkët shënon përmbylljen e manifestimit 3-ditor të
Go toTop