Ambasada gjermane në Kosovë ua ka rikujtuar politikanëve kosovarë se në Gjermani nuk lejohet fushata zgjedhore nga zyrtarët e huaj në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve.
“Meqenëse kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Gjermani, dëshirojmë t’u kujtojmë të gjithë kandidatëve se, si rregull, ngjarjet e fushatës zgjedhore nga zyrtarët e huaj në Gjermani nuk lejohen në periudhën më pak se 3 muaj para zgjedhjeve. Faleminderit për mirëkuptimin tuaj”- kanë njoftuar në Facebook.
Edhe në zgjedhjet e kaluara të 9 shkurtit, atëkohë ambasadori gjerman Jorn Rohde, kishte thënë se autoritetet gjermane zakonisht nuk japin leje që partitë politike të një shteti të zhvillojnë fushatë në tokën gjermane në periudhën më pak se tre muaj nga data e mbajtjes së zgjedhjeve.
Rëndom, politikanët nga Kosova organizojnë tubime me diasporën në shtetet e perëndimit.Një ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se kryeministri në detyrë Albin Kurti do të takojë mërgatën në Zürich të Zvicrës më 13 dhjetor 2025. Fushata zgjedhore në Kosovë do të fillojë më 17 dhjetor, për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.Kësaj radhe fushata është më e shkurtër ngase zgjedhjet janë të parakohshme.