Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është mbajtur ceremonia përkujtimore për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe ambasadori i Gjermanisë, Rainer Rudolph, i cili tha se kujtimi i Auschwitzit është përgjegjësi historike.
“Në këtë ditë, 81 vjet më parë, përmasat e krimeve naziste dolën në dritë kur ushtarët sovjetikë çliruan 7,000 të mbijetuar të kequshqyer rëndë, të sëmurë seriozisht dhe thellësisht të traumatizuar nga kampi më i madh nazist i shfarosjes. Si asnjë vend tjetër, Auschwitz qëndron si simbol i tmerreve, vrasjes së pamëshirshme të miliona burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm, kryesisht hebrenj, të përndjekur në mënyrë metodike dhe të vrarë sistematikisht nga nazistët”.
“Unë e vizitova për herë të parë memorialin e Auschwitzit si nxënës 17-vjeçar dhe imazhi që më është ngulitur në kujtesë është ai i shiritit të vetëm të hekurudhës që përfundon aty, sepse, për ata që u deportuan atje, nuk kishte as udhëtim përpara dhe as kthim mbrapa. Për Gjermaninë, kujtimi dhe përkujtimi i Shoahut është një përgjegjësi historike e përhershme dhe një detyrë morale. Ne nuk do t’i harrojmë kurrë krimet e paprecedenta të kryera në emër të gjermanëve dhe nga gjermanët, as vuajtjet e pamatshme që iu shkaktuan viktimave”, potencoi Ambasadori Rudolph.
Më 27 janar, në Ditën Ndërkombëtare Përkujtimore e Holokaustit shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2005, përkujtohen viktimat e Holokaustit.
Kjo datë përkon me çlirimin të kampit nazist të përqendrimit Auschwitz-Birkenau më 27 janar 1945.